Lufta e Mandateve

03/31/2000

Lufta e Mandateve

Si lëvizin nga karriget kryetarët e insitucioneve më strategjikë të vendit. Shkelja e ligjit nga mosrespektimi i mandateve të tyre. Përballja e ish-ve me drejtuesit e sotëm dhe “Shpata e Demokleut” që rri varur në kokat e secilit

Shqipëria e sotme nuk ndërron shpesh vetëm qeveritë. Bashkë me pushtetarët, shkojnë e vijnë edhe drejtuesit e shumë organeve, që si rregull janë të pavarur nga ato. Gjykatat, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Banka etj. janë preja e klimës shpesh të ndryshueshme të politikës shqiptare. Kryetarët e tyre janë sot e nuk janë nesër dhe i kanë lënë mandatet që përcakton ligji thjeshtë një numër në letër.

Centralizim pushteti apo interesa të tjera politike fshihen pas shkarkimeve të dyshimta dhe antiligjore të paraardhësve të organeve delikate dhe kyçe të politikës shqiptare? Sa me ndikim është përvoja e kaluar për ata që i gëzojnë këto detyra, gjithmonë nën presionin se i njëjti “fat”do t’i “gëzojë”edhe ata?

Në bazë të ligjit, kryetari i Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në çastin e emwrimit së tyre, gëzojnë një afat të caktuar ligjor, gjatë të cilit kanë të drejtën e ushtrimit të detyrës së ngarkuar. Gjatë këtij mandati, vendi i tyre është i paprekshëm, me përjashtim të rasteve të paracaktuara mirë në ligj dhe që merren në shqyrtim nga Kuvendi.

Por pamja që të jep politika shqiptare është e tillë që, në çastin që ndërrohet krahu politik i qeverisjes, normalisht ndërrojnë edhe drejtuesit e institucioneve me interes, gjithmonë nën një shkak të caktuar. Çuditërisht, e njëjta gjë ka ndodhur gjithmonë dhe pothuaj asnjë mandat në këto institucione nuk është zbatuar deri në fund.

Megjithatë, edhe vetë drejtuesit kanë pjesën e tyre tw fajit. Të dashuruar pas politikës shqiptarët nuk mund të rrinë pa u ngatërruar me të edhe kur gëzojnë poste normalisht të pavarura prej saj. Kundërpërgjigjet e ish-ve zakonisht janë të parashikueshme. Por sa të sigurtë e ndjejnë veten ata që janë në krye të këtyre institucioneve dhe sa e pranojnë atë që quhet shkelje e ligjit?

Pasiguri dhe përbetime

Ish-kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Blerim Çela, dukurinë e mosrespektimit të mandateve e quan tepër të rrezikshme për të ardhmen e institucioneve.

“Me ndryshimin e raportit të forcave politike, shumica e ardhshme do të kërkojë rivendosjen nw vendet që ka pasur po ata titullarë. Kuptohet që pikat kyçe janë gjykatat dhe KLSH-ja, që në thelb janë organe që nuk duhet të jenë të varura nga asnjë pushtet. Unë në çastin që më larguan nga ai vend, thotë ai, iu drejtova Gjykatës Kushtetuese, por padia ime nuk u gjykua asnjëherë. Edhe ne, kur të marrim pushtetin, do të bëjmë të njëjtën gjë”.

Sot drejtimi i KSHL i është besuar Mustafa Kërçukut, anëtar i Partisë së Ballit Kombëtar. Deri në vitin 1997, në krye të ktij organi ishte anëtari i Parisë Demokratike, Blerim Çela.

Odiseja e ndryshimit të kryetarëve të këtij institucioni ka filluar po atë vit në Romë. Ishte koha kur PD-ja, përgatiste projektligjin që organi kontrollor të merrte emrin Gjykatë Llogarie. Të drejtat dhe detyrat do të ishin të njëjta, por ndryshimi do të ishte se vendimet do të merrshin në mënyrë kolegjiale dhe për korrigjimin e dëmeve do të vendoste vetë Gjykata e Llogarisë. Por ky projekt nuk u kthye kurrë në ligj dhe KLSH vazhdon të punojë me sistem monokratik.

Në atë vit, në Romë, u miratua ligji që vendoste se KLSH ishte një organ që do të drejtohej nga opozita. Pas miratimit në Romë, më 29 Qershor, në Tiranë u mor vendimi tjetër që vërtet do ta drejtonte opozita KLSH-në, por kjo do të ishte opozita më e vogël. Kështu Blerim Çela i liroi karrigen, megjithëse para mandatit, bashkëopozitarit të tij, Mustafa Kërccuku.

Megjithatë opozitarët demokratë nuk e kanë harruar KLSH-në.

“Sot për sot, kryetari nuk merr vendime pa dy nënkryetarët”, thotë Çela, por edhe këtë pushtetarët e sotëm duan ta ndryshojnë dhe t’ia lënë në dorë vetëm kryetarit, dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë”.

Megjithatë në zbatim të ligjit më të fundit për KLSH-në, Mustafa Kërçuku e vazhdon drejtimin e tij, drejt plotësimit të mandatit 7-vjeçar pa pasur frikë e paragjykime se një ligj i dyë mund ta anullojë të parin dhe se, edhe ai, si paraardhësi i tij, do të thotë se isha një herë… kryetar.

Gjykata shkel ligjet e saj

Në shtator të vitit 1995, me vendim të Kuvendit të kohës, Gjykata e Lartë njohu kryetarin e saj të ri, Avni Shehun. Mandati i këtij posti është i mirëpërcaktuar në ligj dhe arrin në 7 vjet. Ndërprerja para kohe mund të bëhet vetëm në rastet e dënimit penal për një krim të kryer nga personi, paaftësia mendore, mosparaqitja në detyre pa arsye për më tepër se 6 muaj, mbushja e moshës 65 vjeç si dhe dorëheqja. Për më tepër është e domosdoshme që këto shkaqe të deklarohen me vendim nga Gjykata e Lartë.

Megjithatë pa asnjë lloj vendimi të tillë dhe pa kryer asnjë nga ato çfarë parashikohej në ligj, Avni Shehu, në maj të vitit të kaluar e gjeti veten shumë larg karriges që duhej të gëzonte deri në vitin 2002.

“Nuk ka asnjë vendim zyrtar për mbarimin e mandatit dhe për shkaqet e largimit tim, thotë Shehu. “Është bërë emërimi i një personi tjetër pa u marrë një vendim, të paktën formalisht për largimin tim nga detyra. Kam kërkuar që të merrej dhe të më komunikohej një vendim i tillë, por kërkesat e mia nuk janë përfillur as nga Presidenti as nga Kuvendi”, shton ai. “Po ashtu i kam kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese që të ndalonte veprime të tilla antikushtetuese deri sa të merrej një vendim nga organet kompetente për largimin tim, por ajo jo vetëm që nuk e ka bërë një gjë të tillë, por, pa më njoftuar, mori vendim për mospranimin për shqyrtim të kërkesës time duke favorizuar dhe lejuar që Presidenti ta bënte punë të kryer emërimin e një njeriu tjetër”.

Ndërkohë që shkaqet e largimit të Shehut mbeten ende të errëta dhe vendin e tij e zuri ish-ministri i Drejtësisë, Thimio Kondi. Duke ia lënë të drejtën e marrjes së vendimeve organeve dhe personave kompetentë, ai vazhdon i qetë detyrën e tij, pa mohuar arsyet e shkeljes së ligjit, por edhe pa i dhënë ato.

Kushtetuesja, e qetë

Shkaqet e shkeljes së mandateve për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, janë të qarta dhe në kompetenca të tjera institucioneve. Duke e bërë gati të pamundur mundësinë e dallavereve në këtë pikë, ai nuk ndien asnjë rrezik në pozitën në të cilën ndodhet.

“Ka një Kushtetutë dhe ka rregulla të caktuara mirë”, thotë ai. Është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos çdo lëvizje të mundshme, dhe për aq sa kam unë informacion nuk di të ketë patur ndonjë shkelje”.

Rasti i Rustem Gjatës, si ish-kryetar në këtë gjykatë, gjithashtu nuk është shkelje për Abdiun. “Në vitin 1997 këtu u zhvillua rotacioni. Atëhere pati edhe një mosmarrëveshje parlamentare për këtë dhe për të zhvilluar rotacionin u krijua një komision i posaçëm”, thotë ai. Rustem Gjatës i kishte mbaruar mandati i rizgjedhjes për kryetar.

Megjithatë nëse kishte marrë fund apo jo mandati i Gjatës, për kohën, gjen përgjigjen e vetme se ai u shkarkua “në zbatim të ligjit për ruajtjen e figurës”. Në vitin 1998, Kuvendi emëroi tre anëtarë të rinj të kësaj gjykate  dhe më pas u emërua edhe kryetari i ri duke plotësuar filmin e mosplotësimit të mandateve  

Gazeta Illyria, nr.923

31 Mars-3 Prill 2000

 

Artikuj të ngjashëm

Një Kryetar rrethi në kullën e ngujimit

Një Kryetar rrethi në kullën e ngujimit

Një Kryetar rrethi në kullën e ngujimit Kanuni ngrihet mbi ligjin: policia e pafuqishme Pukë - Ligjet e Kanunit përsëri ngrihen mbi ligjet e shtetit. Një kryetar rrethi është shoqëruar nga forcat e policisë në kullën e ngujimit. “Do të qëndrojë vetëm 24 orë, sipas...

Adi Krasta: “Jam vetja dhe kjo s’është pak

Adi Krasta: “Jam vetja dhe kjo s’është pak

Adi Krasta: “Jam vetja dhe kjo s’është pak Është një nga zyrat më te reja të Departamentit të Kulturës së Radio Tiranës. E lyer me të bardhë, me tri tavolina të vjetra dërrase. Në mur një poster ku pozojnë nudo një çift zezakësh. Diku në kënd një makinë shkrimi e...

Komente

0 Comments

Submit a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *